Ky është përkthim i një faqeje anglisht në origjinal.
A Mund T’i Zini Besë Kompjuterit Tuaj?
nga Richard StallmanPrej nga duhet t’i marrë urdhrat kompjuteri juaj? Shumica e njerëzve mendojnë se kompjuterat e tyre duhet t’u binden atyre vetë, jo t’i binden dikujt tjetër. Me një plan që e quajnë "trusted computing", korporata të mëdha mediash (përfshi shoqëri filmi dhe shoqëri incizimesh), tok me shoqëri kompjuterike të tilla si Microsoft dhe Intel, kanë në plan ta bëjnë kompjuterin tuaj t’u bindet atyre, në vend se juve. (Versioni i Microsoft-it i kësaj skeme quhet Palladium.) Programe pronësore kanë përfshirë veçori dashakeqe edhe më parë, por ky plan do ta bënte universale këtë gjë.
Software pronësor do të thotë, në thelb, se ju nuk kontrolloni se çfarë bën; s’mundeni të studioni kodin burim, apo ta ndryshoni. S’është për t’u çuditur që biznesmenë të zgjuar gjejnë rrugë për ta përdorur kontrollin e tyre për t’ju vënë në pozita humbëse. Microsoft-i e ka bërë disa herë këtë: një version i Windows-it qe hartuar për të raportuar te Microsoft-i krejt software-in në diskun tuaj; një përmirësim i freskët "sigurie" te Windows Media Player lypte që përdoruesit të pajtohen me kufizime të reja. Por Microsoft-i s’është vetëm: software-i KaZaa për ndarje muzike me të tjerë është hartuar në mënyrë të tillë që partneri i KaZaa-së në biznes të mund të japë me qira për klientë të vetët përdorimin e kompjuterit tuaj. Këto veçori dashakeqe shpesh janë të fshehta, por, edhe pasi të keni marrë vesh për to, është e vështirë të hiqen, ngaqë s’keni kodin burim.
Në të kaluarën, këto qenë incidente të izoluara. "Trusted computing" do ta bënte të gjithandejshme praktikën. "Treacherous computing" është një emër më i përshtatshëm, ngaqë plani është hartuar të sigurojë se kompjuteri juaj sistematikisht s’ju bindet juve. Në fakt, është i hartuar që kompjuteri juaj të reshtë së funksionuari si një kompjuter për qëllime të përgjithshme. Çdo veprim mund të dojë leje shprehimisht.
Ideja teknike nën "treacherous computing" është se kompjuteri përfshin një pajisje për fshehtëzim dhe nënshkrim dixhital dhe se kyçet përkatëse ju mbahen të fshehtë. Programe pronësorë do ta përdorin këtë pajisje për të kontrolluar cilët programe të tjerë mund të xhironi, cilat dokumente apo të dhëna mund të përdorni dhe cilëve programe mund t’ua kaloni ato. Këto program do të shkarkojnë vazhdimisht rregulla të reja autorizimi përmes Interneti dhe t’i imponojnë automatikisht këto rregulla mbi punën tuaj. Nëse s’e lejoni kompjuterin tuaj të marrë rregullat e reja periodikisht nga Interneti, disa aftësi do të reshtin automatikisht së funksionuari.
Sigurisht, Hollywood-i dhe shoqëritë diskografike kanë në plan ta përdorin "treacherous computing" për Administrim Dixhital Kufizimesh (DRM), që videot dhe muzika e shkarkuar mund të luhen vetëm në një kompjuter specifik. Ndarja me të tjerë do të jetë krejtësisht e pamundur, të paktën duke përdorur kartelat e autorizuara që do të merrnit prej këtyre shoqërive. Ju, publiku, duhet të kishit si lirinë, ashtu edhe aftësinë për të ndarë gjëra të tilla me të tjerë. (Pre që dikush të gjejë një mënyrë për të prodhuar versione të pafshehtëzuara dhe t’i ngarkojë dhe ndajë me të tjerë ato, pra DRM s’do të fitojnë tërësisht, por kjo s’është shfajësim për sistemin.)
Bërja të pamundur e ndarjes me të tjerë është boll e keqe, por ka edhe më keq. Ka plane për ta përdorur të njëjtin mekanizëm për email-in dhe dokumente—me përfundim email-e ë zhduken pas dy javësh, ose dokumente që mund të lexohen vetëm te kompjuterat e një shoqërie.
Përfytyroni se merrni një email nga punëdhënësi juaj ku thuhet të bëni diçka që ju mendoni se është me rrezik; një muaj më vonë, kur kësaj pune i del era, ju s’mund të përdorni email-in për të treguar se vendimi s’qe i juaji. "Marrja me shkrim" s’ju mbron, kur urdhri shkruhet në bojë që zhduket.
Përfytyroni se merrni një email nga punëdhënësi juaj ku deklarohet një politikë që është ilegale, ose moralisht skandaloze, fjala vjen, të asgjësoni dokumente revizioni të shoqërisë suaj, ose të lejoni një kërcënim të rrezikshëm ndaj vendit tuaj të vazhdojë i pakontrolluar. Sot ju mundeni ta dërgoni këtë te një gazetar dhe të ekspozoni veprimtarinë. Me "treacherous computing", gazetari s’do të jetë në gjendje të lexojë dokumentin; kompjuteri i tij s’do të pranojë t’i bindet atij. "Treacherous computing" bëhet një parajsë për korrupsionin.
Përpunues tekstesh, bie fjala, Microsoft Word mund ta përdornin "treacherous computing" kur ruajnë dokumente tuajat, për të garantuar se s’mund t’i lexojnë përpunues alternativë tekstesh. Sot na duhet të kuptojmë të fshehtat e Word-it përmes eksperimentesh të mundimshme, që të arrijmë të krijojmë përpunues tekstesh që lexojnë dokumente Word. Nëse Word-i i fshehtëzon dokumentet duke përdorur "treacherous computing" kur i ruan ato, bashkësia e software-it të lirë s’do të ketë ndonjë shans në zhvillim software-i të lirë për t’i lexuar ata—dhe po të mundeshim, programe të tillë mund të jenë edhe të ndaluar nga ligji Digital Millennium Copyright Act.
Programet që përdorin "treacherous computing" do të shkarkojnë vazhdimisht rregulla të reja autorizimi përmes Interneti dhe do t’i imponojnë automatikisht këto rregulla mbi punën tuaj. Nëse Microsoft-it, ose qeverisë së Shteteve të Bashkuara, s’i pëlqen çfarë thoshit në një dokument që shkruat, ata mund të postojnë udhëzime të reja ku u thuhet krejt kompjuterave të mos pranojnë të lënë njeri ta lexojë atë dokument. Secili kompjuter do të bindet, kur shkarkon udhëzimet e reja. Shkrimet tuaja do të ishin subjekt fshirjeje retroaktive në stil "1984". Mund të mos jeni në gjendje as t’i lexoni ju vetë.
Mundet të mendoni se mund të arrini të gjeni se çfarë gjërash të shpifura bën një aplikacion "treacherous computing", të studioni se sa të dëmshëm janë dhe të vendosni t’i pranoni apo jo. Edhe nëse mundeni ta gjeni, do të ishte marrëzi të pranohej kjo zgjidhje, por s’mund të shpresoni as që zgjidhja të mbahet si është. Pasi të arrihet varësia juaj nga përdorimi i programit, keni ngecur dhe ata e dini këtë gjë; paskëtaj munden të ndryshojnë zgjidhjen. Disa aplikacione do të shkarkojnë automatikisht përmirësime që diçka do ta bëjnë ndryshe—dhe s’do t’ju japin mundësinë të zgjidhni ta përmirësoni a jo.
Sot mund ta shmangni të qenët të kufizuar nga software-i pronësor duke mos e përdorur. Nëse xhironi GNU/Linux, apo tjetër sistem operativ të lirë dhe nëse shmangni instalim aplikacionesh pronësorë në të, atëherë keni kontrollin e asaj që bën kompjuteri. Nëse një program i lirë ka një veçori dashakeqe, zhvillues të tjerë te bashkësia do ta heqin dhe mund të përdorni versionin e ndrequr. Mund edhe të xhironi programe aplikacion dhe mjete të lirë në sisteme operativ jo të lirë; kjo është më pak se sa dhënia plotësisht liri juve, por mjaft përdorues e bëjnë.
"Treacherous computing" e vë në rrezik ekzistencën e sistemeve të lira operative dhe aplikacioneve të lira, ngaqë mund të mos jeni në gjendje fare t’i vini në punë. Disa versione "treacherous computing" do të duan doemos që sistemi operativ të jetë posaçërisht i autorizuar nga një shoqëri e dhënë. Sistemet e lira operative mund të mos instalohen. Disa versione "treacherous computing" do të kërkonin doemos që çdo program të jetë autorizuar posaçërisht nga zhvilluesi i sistemit operativ. Në një sistem të tillë s’do të mund të xhironit aplikacione të lira. Nëse e gjetët se si dhe ia treguat dikujt, kjo do të mund të ishte krim.
Ka tashmë propozime për ligje në ShBA që do të kërkonin që krejt kompjuterat të mbulonin "treacherous computing" dhe të ndalohet lidhja e kompjuterave të vjetër në Internet. CBDTPA (ne e quajmë Consume But Don't Try Programming Act) është një prej tyre. Por edhe nëse s’ju detyrojnë ligjërisht të kaloni në "treacherous computing", trysnia për ta pranuar mund të jetë shumë e madhe. Sot, njerëzit shpesh përdorin formatin Word për komunikim, edhe pse kjo shkakton disa lloje problemesh (shihni "Mund T’u Japim Fund Bashkëngjitjeve Word"). Nëse dokumentet më të reja Word mund t’i lexojë vetëm një makinë e llojit "treacherous-computing", mjaft vetë prapë do të kalojnë në të, nëse rastin e shohin vetëm një veprim individual (o merreni, o lëreni). Për të kundërshtuar "treacherous computing", duhet të bashkohemi dhe ta përballojmë situatën si një zgjedhje kolektive.
Për më tepër informacion rreth "treacherous computing", shihni Pyetje të Bëra Rëndom Rreth "Trusted Computing".
Që të bllokohet "treacherous computing" do të duhet të organizohet një numër i madh njerëzish. Na duhet ndihma juaj! Ju lutemi, përkrahni fushatën e FSF-së kundër Administrimit Dixhital të Kufizimeve Defective by Design.
Passhkrime
Fusha e sigurisë së kompjuterave përdor termin "trusted computing" në një mënyrë të ndryshme—mbani parasysh ngatërresën mes dy kuptimeve.
Projekti GNU jep GNU Privacy Guard, një program që sendërton fshehtëzim me kyçe publikë dhe nënshkrime dixhitale, të cilat mund t’i përdorni për të dërguar email të siguruar dhe privat. Ia vlen të eksplorohet se ku ndryshon GPG-ja nga "treacherous computing" dhe të shihet se ç’e bën njërin të dobishëm dhe tjetrin kaq të rrezikshëm.
Kur dikush përdor GPG për t’ju dërguar një dokument të fshehtëzuar dhe ju përdorni GPG për ta shkoduar, përfundimi është një dokument i shfshehtëzuar që mund ta lexoni, përcillni, kopjoni dhe madje ta fshehtëzoni në mënyrë të siguruar për t’ia dërguar dikujt tjetër. Një aplikacion i llojit "treacherous computing" do t’ju lejonte të lexonit fjalët në ekran, por s’do t’ju lejonte të prodhonit një dokument të pafshehtëzuar që do të mund ta përdornit në mënyra ta tjera. GPG, një paketë software-i të lirë, i bën veçoritë e sigurisë të përdorshme nga përdoruesit; ata e përdorin atë. "Treacherous computing" është hartuar për të imponuar kufizime mbi përdoruesit; ai i përdor ata.
Përkrahësit e "treacherous computing" e përqendrojnë diskutimin e tyre te përdorimet e tij me përfitime. Çka thonë shpesh është e saktë, thjesht është pa rëndësi.
Si shumica e hardware-it, hardware-i i llojit "treacherous-computing"mund të përdoret për qëllime të cilat s’janë të dëmshme. Por këto veçori mund të sendërtohen në rrugë të tjera, pa hardware "treacherous-computing". Dallimi kryesor që "treacherous-computing" përbën për përdoruesit është pasoja e shpifur: ndërhyrja në kompjuterin tuaj që të punojë kundër jush.
Ato çka thonë janë të vërteta dhe ajo çka them është e vërtetë. Bëjini bashkë dhe ç’ju del? "Treacherous computing" është një plan për t’ju marrë lirinë, teksa na ofrohen përfitime të vockla për të na hequr mendjen nga çka do të humbnim.
Microsoft-i e paraqet Palladium-in si një masë sigurie dhe pretendon se do të mbrojë nga viruse, por me sa duket ky pretendim është i rremë. Një paraqitje nga Microsoft Research në tetor të 2002-shit pohonte se një nga specifikimet e Palladium-it është se sisteme operativë dhe aplikacione ekzistues do të vazhdojnë të funksionojnë; kështu, viruset do të vazhdojnë të jenë në gjendje të bëjnë gjithçka që bëjnë sot.
Kur nëpunësit e Microsoft-it flasin për "siguri" lidhur me Palladium-in, ata s’nënkuptojnë çka nënkuptojmë ne normalisht me atë fjalë: mbrojtje të makinës suaj nga gjëra që s’i doni. Ata nënkuptojnë mbrojtje të kopjeve tuaja të të dhënave në makinën tuaj nga hyrje prej jush sipas rrugësh që ata s’duan. Një diapozitiv te paraqitja radhiste disa lloje të fshehtash për mbajtje të të cilave do të mund të përdorej Palladium-i, përfshi "të fshehta palësh të treta" dhe "të fshehta përdoruesi"—por vendos shenjën e pikëpyetjes te "të fshehta përdoruesi", duke pranuar kështu se kjo është, në njëfarë mënyre, një absurditet në kontekstin e Palladium-it.
Paraqitja përdori shpesh terma të tjerë që në rëndom i përshoqërojmë me kontekstin e sigurisë, të tillë si "sulm", "kod dashakeq", "spoofing", përveç se "i besuar". Asnjë prej tyre s’do të thotë atë çka thotë normalisht. "Sulm" s’do të thotë dikush që po rreket t’ju dëmtojë, do të thotë se po provoni të kopjoni muzikë. "Kod dashakeq" do të thotë kod i instaluar nga ju për të bërë diçka që dikush tjetër s’dëshiron që ta bëjë makina juaj. "Spoofing" s’do të thotë se dikush po përpiqet t’jua hedhë, do të thotë që ju po përpiqeni t’ia hidhni Palladium-it. E me radhë.
Një deklarim i mëparshëm nga zhvillues të Palladium-it pohonte parakushtin elementar që cilido që zhvillonte ose grumbullonte informacion duhet të ketë kontroll të plotë se si e përdorni. Kjo do të përfaqësonte një përmbysje revolucionare të ideve të kaluara etike dhe sistemit ligjor dhe krijonte një sistem pa të ngjashëm kontrolli. Problemet specifike të këtyre sistemeve s’janë aksident; rrjedhin nga synimi bazë. Synimi është ai që duhet të hedhim poshtë.
Më 2015-n, metoda kryesore e shpërndarjes së kopjeve të çfarëdo qoftë, është nëpër internet dhe posaçërisht nëpër web. Sot, shoqëritë që duan të imponojnë DRM mbi botën duan që ato të detyrohen nga programe që komunikojnë me shërbyes për të marrë kopje. Kjo do të thotë se janë të vendosur të kontrollojnë shfletuesin tuaj, si dhe sistemin tuaj operativ. Rruga si e realizojnë këtë është përmes "atestimit së largëti"—një mekanizëm me të cilin kompjuteri juaj mund të "atestojë" te shërbyesi saktësisht çfarë software-i po xhiron, në mënyrë të tillë që s’ka rrugë ta maskoni. Software-i për të cilin do të bëhej atestimi do të përfshinte shfletuesin tuaj (për të provuar se sendërton DRM dhe s’ju jep ndonjë mënyrë për të përfituar të dhëna të pafshehtëzuara), kerneli (për të provuar se s’jep ndonjë mënyrë për të arnuar shfletuesin që është në punë), software nisjeje (për të provuar se s’jep ndonjë mënyrë për të arnuar kernelin, kur vihet në punë) dhe gjithçka tjetër të lidhur me sigurinë e sundimit të shoqërive DRM mbi ju.
Nën një perandori të së keqes, e vetmja e çarë përmes së cilës mund të reduktoni fuqinë efektive të saj mbi ju është të keni një rrugë për të fshehur, ose maskuar se ç’po bëni. Me fjalë të tjera, ju duhet një mënyrë të gënjeni policinë e fshehtë të perandorisë. "Atestimi së largëti" është një plan për ta detyruar kompjuterin tuaj të tregojë të vërtetën te një shoqëri, kur shërbyesi i saj e pyet kompjuterin se e keni çliruar atë a jo.
Deri sot më 2015, "treacherous computing" është sendërtuar për PC në formën e "Trusted Platform Module" (Modul Platforme të Besuar); por, për arsye praktike, TPM ka rezultuar një dështim tërësor për synimin e dhënies së një platforme për atestim së largëti që të verifikohet Administrim Dixhital Kufizimesh. Ndaj shoqëritë sendërtojnë DRM duke përdorur metoda të tjera. Aktualisht, "Trusted Platform Modules" s’përdoren fare për DRM dhe ka arsye të mendohet se s’do të jetë e mundur të përdoren për DRM. Për ironi, kjo do të thotë se përdorimet e vetme të tanishme të "Trusted Platform Modules" janë përdorime dytësore të pafajshme—për shembull, për të verifikuar se askush s’ka ndryshuar fshehtas sistemin në një kompjuter.
Ndaj, dolëm në përfundimin se "Trusted Platform Modules" i pranishëm në PC, deri sot më 2015-n, s’është i rrezikshëm dhe se s’ka arsye imediate për të mos e përfshirë një në një kompjuter, apo për ta mbuluar në software sistemi.
Kjo s’do të thotë se gjithçka është e ndritshme. Të tjerë sisteme hardware për bllokimin e të zotit të një kompjuteri të ndryshojë software-in në të janë në përdorim në disa PC ARM, si dhe në telefona celularë, automjete, TV dhe pajisje të tjera dhe këto janë plotësisht aq të këqija sa i prisnim.
Kjo gjithashtu s’do të thotë se atestimi së largëti s’është kërcënim. Nëse një pajisje arrin sukses ndonjëherë në sendërtimin e tij, do të jetë një kërcënim i rëndë për lirinë e përdoruesve. "Trusted Platform Module" aktual është i padëmshëm vetëm ngaqë dështoi në përpjekjen për ta bërë të arritshëm atestimin së largëti. S’duhet të mendojmë se krejt përpjekjet e ardhshme do të dështojnë gjithashtu.
Prej 2022-shit, TPM2, një "Trusted Platform Module" i ri mbulon përnjëmend atestim së largëti dhe mund të mbulojë DRM. Kërcënimi për të cilin ngrita zërin më 2002-shin është bërë në mënyrë të kobshme i përnjëmendtë.
Atestimi së largëti është faktikisht në përdorim nga "Google SafetyNet" (tanimë pjesë e "Play Integrity API"), i cili verifikon se sistemi operativ Android në funksionim në një snoop-phone është një version zyrtar nga Google.
Kjo anë dashakeqe e bën tashmë të pamundur të xhirohen disa aplikacione bankash në GrapheneOS, i cili është një version i ndryshuar i Android-it, që eliminon ca, por jo të tërë, nga software-i jo i lirë që zakonisht përmban Android-i.
Një version i lirë i Android-it, fjala vjen Replicant, do të haste me siguri të njëjtën pengesë. Nëse çmoni lirinë aq sa të instaloni Replicant-in, mund edhe të refuzoni të toleroni çfarëdo aplikacioni jo të lirë (bankash ose jo) në kompjuterat tuaj. Pavarësisht kësaj, është e padrejtë që Google-i të rrëmojë se nëse përdoruesit kanë ndryshuar a jo sistemin e tyre operativ dhe në bazë të kësaj të diktojnë se çfarë mund të realizojnë përdorursit me të.
Kjo sprovë është botuar te Software i Lirë, Shoqëri e Lirë: Sprova të Përzgjedhura të Richard M. Stallman-it.